| |
baner
Më datë 24 Prill u realizua takimi i dytë advokues në lidhje me rekomandimet e paraqitura nga NBF përmes NBA-së. Takimi u realizua në Ministrinë e Financave dhe ishin pjesëmarrës, njësia koordinuese e NBF, Zj. Esmeralda Ballesha e shoqëruar nga një përfaqësues i ACER si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale dhe Makroekonomike, Z. Nikolla Lera.
Në takim u diskutua në lidhje me sektorializimin e TVSH-së, përkatësisht atë të turizmit, bujqësisë dhe fasonëve. U përgëzua nisma e ndërmarrë rishtazi nga qeveria për uljen e normës së TVSH-së në 6%, për sektorin e turizmit. Për sa i përket uljes apo eliminimit të tatimit me normë TVSH-je 20% të nënkontraktorëve në industrinë e fasonëve, Z. Lera argumentoi që ishte e pamundur të bëhej pasi ishte një rekomandim i FMN-së dhe shkelte skemën e TVSH-së.
Përveç kësaj, ai argumentoi se ulja e TVSH-së për sektorin e bujqësisë është e pamundur të bëhet pasi që do të krijojë një "vrimë" në buxhetin e shtetit, i cili do të ketë nevojë më pas për një rritje të taksave. Gjithashtu, Z. Lera argumentoi se ulja e normës së TVSH-së për sektorin e bujqësisë nuk do kishte asnjë efekt tek fermerët e vegjël.
U diskutua gjerësisht në lidhje me çështjet e inspektimeve tatimore, përkatësisht për sistemin e përzgjedhjes në bazë risku. Thënë ndryshe sugjeroi Z. Lera, kontrollet varen vetëm nga profili i riskut që nxjerr sistemi dhe zë 70% të fondit të kohës. Pjesa e mbetur prej 30% u lihet në dorë Drejtorive Rajonale vetëm për kontrollet në rastet e mbylljeve të aktiviteteve apo rimbursimeve. Z. Lera vazhdoi arsyetimin duke shprehur se procedurat tatimore janë të qarta, por punonjësit tatimor janë të pakualifikuar dhe për këtë arsye kane filluar trajnimet e specialistëve, por dhe drejtorëve për kualifikime të mëtejshme. Një shqetësim kryesor mbetet procesi i rekrutimit të inspektimeve tatimore që vjen direkt nga Departamenti i Administratës Publike. Ky proces nuk zgjedh punonjësit më të përshtatshëm, të cilët shpesh nuk kanë kapacitetet e duhura profesionale.
Z. Lera u pajtua me rekomandimin e NBA në lidhje me zvogëlimin e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë. Çështja e apelimit u trajtua gjatë diskutimit. Z. Lera deklaroi se Departamenti i Ankesave, i cili ishte zhvendosur kohët e fundit nga DPT në Ministrinë e Financave, do të fillojë të funksionojë duke filluar nga maji dhe rreth 250 ankesa do të fillojnë të shqyrtohen për periudhën kur ky departament ishte jashtë funksionit.
Z. Lera sqaroi se Ministria e Financave synon që të bëjë sa më pak ndryshime të legjislacionit tatimor. Por për çdo ndryshim të bërë, tatimpaguesit informohen sa herë hyjnë tek llogaria e tyre e DPT-së, apo tek zyrat e informacionit të DPT dhe DRT. Gjithashtu, po ndërmerren nisma të reja, si sporteli fizik tek ADISA apo livechat, të gjitha këto me synim informimin e tatimpaguesve.
Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale dhe Makroekonomike nuk ishte dakord me ndarjen e TVSH-së, dhe sugjeron që pragu i TVSH-së duhet të hiqet dhe çdo subjekt të përfshihet në TVSH. Gjithashtu, dhe ndarja e tatimit mbi fitimin nuk është ajo e duhura, pasi ka pasur shume kompani qe janë fraksionuar për të përfituar uljen e tatimeve.
Në lidhje me problemet e shkaktuara nga sistemi i 2015, drejtori deklaroi se ligji në zbatim nuk mund te ndryshojë gjë, por biznesi ka te drejtën të apelojë vendimet e padrejta dhe në te gjitha rastet kërkesat e padrejta nga sistemi janë fshire. Së fundmi Z. Lera deklaroi që Apeli Tatimor ka punësuar rreth 70% të stafit dhe ka filluar të jetë funksional. 
Të gjitha të drejtat e rezervuara @National Business Forum